6 vite burg për drogë, ekstradohet nga Dubai ish-futbollisti i Ajax

Nga A2 CNN
21 Qershor 2025, 18:19 | Futboll

6 vite burg për drogë, ekstradohet nga Dubai ish-futbollisti i Ajax

Ish-ylli i Ajax dhe i kombëtares holandeze, Quincy Promes, është ekstraduar nga Dubai në Holandë në bazë të një urdhërarresti që lidhet me një dënim të dhënë në shkurt 2024, ku ai u shpall fajtor për përfshirje në trafikimin e mbi 1.3 ton kokainë nga Brazili në vitin 2020.

Për këtë vepër penale, 33-vjeçari u dënua me gjashtë vjet burg.

Ky nuk është rasti i vetëm ligjor që rëndon mbi Promes. Ai është dënuar më parë me 18 muaj burg për plagosjen me thikë të kushëririt të tij gjatë një konflikti të dhunshëm që thuhet se shpërtheu për një bizhuteri të vjedhur.

Proceset apelimit janë ende në zhvillim për të dy rastet, ndërsa Promes tashmë ndodhet në duart e autoriteteve holandeze.

Arrestimi i tij në Dubai ndodhi në mars 2024, për një incident të pavarur nga hetimet holandeze: ai dyshohet se u largua nga vendi i një aksidenti automobilistik. Vetëm pas këtij arrestimi, autoritetet holandeze paraqitën kërkesën për ekstradim, e cila tani është finalizuar.

Promes, i cili numëron 50 paraqitje dhe 7 gola për kombëtaren holandeze, ishte një figurë kyçe në Euro 2020. Pas periudhave të suksesshme me Ajax dhe Sevilla, ai u rikthye te Spartak Moscoë në vitin 2021, ku më parë kishte shkëlqyer duke fituar edhe çmimin "Lojtari i Vitit" në Rusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos