Titulli kampion i Kategorisë së Parë, këtë sezon u ngrit në një qytezë të vogël shumë pranë Tiranës dhe Durrësit, me pak njerëz, por që e duan kaq shumë sportin. Edhe pse që në fillim Vora, u projektua me ambicie të qarta, pak kush mendonte se kjo skuadër do të ngjitej në Elitë.
Me pak fjalë dhe shumë punë, ata ja dolën të bëjnë realitet një ëndërr që ekzistonte prej kohësh. Meritë të veçantë në të gjitha sukseset e kësaj skuadre ka padyshim dhe trajneri Arjan Bellai i cili që në fillim besoi tek cilësitë e këtyre djemve dhe në fund përmbushi misionin e tij dhe të skuadrës.
Vora tregoi se është skuadra që me meritë të plotë dhe duke respektuar deri në fund çdo kundërshtar, arriti objektivin e saj. Edhe pse përballë kishte rivalë me histori në futbollin shqiptar, për asnjë moment nuk e pa vetën të dorëzuar dhe prej javësh mbante kreun në renditjen e Kategorisë së Parë.
Lojtari që u veçua dhe spikati jo vetëm te Vora por të në gjithë Kategorinë e Parë ishte lituanezi Ruzgiz. Futbollisti pjesë dhe e kombëtares së Lituanisë realizoi 24 gola në 28 ndeshje dhe në fund u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit në Kategorinë e Parë.
Ne organikën e skuadrës nuk mungojnë as djemtë me eksperiencë që e njohin mirë Superligën shqiptare dhe e kanë të qartë për vështirësinë që i pret.
Ndërtimi i një ekipi për Elitë. Kjo është synimi i Vorës tani. Këtë e konfirmon dhe drejtori sportiv i klubin Bazjon Traga i cili i premton tifozëve se Vora do të bëjë një paraqitje dinjitoze në elite.
Për këtë ekip , asgjë nuk është e pamundur. Me punë dhe disiplinë ata premtojnë se nuk do të shkojnë në elitë thjeshtë për turizëm por do të bëjnë një paraqitje dinjitoze me një projekt serioz dhe me ambicie për të ardhmen.. (A2 Televizion)