“Giro d’Italia”, “paralizohet” Shqipëria, rrugën që bllokohen për mjetet dhe këmbësorët

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 16:34 | Futboll

“Giro d’Italia”, “paralizohet” Shqipëria,

“Giro d'Italia”, gara e çiklizmit e cila për herë të parë fillon me tre etapa në Shqipëri nga 9 deri më 11 Maj, pasohet me disa rrugë kryesore që Policia e Shtetit do të bllokojë.

Etapa e Parë nis në Durrës dhe përfundon në Tiranë më 9 maj, Etapa e Dytë më 10 maj zhvillohet në Tiranë, ndërsa Etapa e Tretë zhvillohet në Vlorë më 11 maj, e cila përkon edhe me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Më datë 9 Maj, gara fillon në Durrës në orën 13:10 dhe përfundon në orën 17:30, në Tiranë. Bllokim të qarkullimit do të ketë nga ora 11:00-14:00, disa rrugë që të çojnë deri tek rruga e re e portit si dhe akset “Plepa - Bishti i Zhurit - Peqin-Bradashesh –Gracen”, nga ora 11:30 – 15:30.

Përjashtim në kalim do të ketë vetëm mjetet e emergjencës.

Po më datë 9 Maj në Tiranë, bllokimi i rrugëve fillon nga ora 13:00 deri në orën 18:00, nga fshati Gracen deri në rrethrrotullimin e TEG, e më pas te rrethrrotullimi i Sanatoriumit. Bllokimi vijon me rrugën e Elbasanit, Bulevardi “Bajram Curri”; rrugët që lidhen me të, Rruga Muhamet Deliu deri tek rrethrrotullimi i Freskut, Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rrugët përreth.

Ndërsa më datë 10 në Tiranë, ndalim qarkullimi do të ketë nga ora 10:00 deri në orën 18:00 në Sheshin “Skenderbej”; rruga “Urani Pano”; “Dedë Gjo Luli”; “Ibrahim Rugova”; Bulevardin “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, si dhe rrugët që lidhen me to, si dhe rruga e Elbasanit deri te Rrethrrotullimi i Saukut.
Qytetarët që duan të kalojnë përgjatë rrugës “Papa Gjon Pali” nuk kanë akses për të dalë gjatë orarit 10:00–18:00.

Ndërsa Etapa e tretë në Vlorë më datë 11 Maj, ndalohet parkimi në aksin “Sheshi i Madh” nga ora 5 e mëngjesit deri në mesditë. Si dhe ndalohet qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve, nga “Rrapi”-Lungomare-bulevardi kryesor “Ismail Qemali” deri te Rruga e Re - Pusi Mezinit. Për të shkuar në portin e Vlorës do të përdoret rruga Transballkanike, e cila do të jetë e aksesueshme gjatë gjithë kohës nga mjetet dhe shtetasit.

Po kështu rruga që të çon te spitali, në raste emergjencash, nga ora 11:00 deri në orën 13:30, do të aksesohet nëpermjet disa rrugëve alternative.

Për akse nga Vlora, në drejtim të fshatrave të lumit të Vlorës, mund të përdoret rruga e lumit.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv do të jenë të angazhuar rreth 3500 punonjës policie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos