Liverpool ka fituar titullin e 20-të në elitën e futbollit anglez, duke barazuar rekordin historik të Manchester United.
Kurorëzimi i “The Reds” si kampionë të Anglisë erdhi pas fitore ndaj Tottenham Hotspur me rezultatin 5-1 në Anfield.
Ndonëse pritej një mbrëmje e qetë për “Të kuqtë”, emocionet u shtuan kur Tottenham kaloi në avantazh në minutën e 12-të. Ish-sulmuesi i Liverpool, Dominic Solanke, shënoi me kokë pas një goditjeje këndi të James Maddison.
Megjithatë, përgjigjja e vendasve ishte e menjëhershme. Mohamed Salah asistoi për Dominik Szoboszlai, i cili pasoi për Luis Díaz që shënoi lehtësisht në ndeshjen e tij të 100-të në Premier League.
Entuziazmi u shtua më tej kur presioni i lartë i Liverpool solli një gabim nga Tottenham, që u shfrytëzua nga Alexis Mac Allister për të dyfishuar avantazhin.
Në fund të pjesës së parë, Cody Gakpo e çoi rezultatin në 3-1, duke i lënë Spurs pa përgjigje.
Në pjesën e dytë, Salah – i cili nuk kishte shënuar në gjashtë ndeshjet e fundit – realizoi golin e katërt për Liverpool, pas një kundërsulmi të shpejtë. Më pas, një autogol nga Destiny Udogie pas një krosimi të Trent Alexander-Arnold vulosi rezultatin 5-1.
Kjo fitore historike jo vetëm që i siguroi Liverpool-it një tjetër titull, por gjithashtu shënoi triumfin e parë të tyre në Premier League me tifozët e pranishëm në stadium që festonin.
Sakaq, trajneri Arne Slot bëhet trajneri i gjashti që fiton Premier League në sezonin e tij të parë në krye të një klubi. (A2 Televizion)