Arabia Saudite shfrenon fantazinë, ja stadiumet që do të ndërtojë për të organizuar Botërorin 2034

Nga A2 CNN
2 Gusht 2024, 13:41 | Futboll

Arabia Saudite ka prezantuar konceptet e stadiumeve me të cilat kërkon të fitojë garën për organizimin e Kupës së Botës së vitit 2034. Ai është objektivi kryesor i Mbretërisë, pasi FIFA deklaroi se për Kupën e Botës së atij viti do të pranohen vetëm kërkesa nga Azia dhe Oqeania. Ky duket se është hapi i radhës i vendit që kërkon të diverisifikojë burimin e të ardhurave, duke synuar turizmin për të mos u varur vetëm nga nafta.

Edhe pse duhen 10 vite deri në Botërorin e ardhshëm, investimet e mëdha kanë nisur tashmë. Klubet saudite kanë bërë blerje marramendëse në vitet e fundit, ku spikat Cristiano Ronaldo, Benzema, e plot emra të tjerë të mëdhenj të futbollit. Por qershia mbi tortë do të ishte organizimi i Kupës së Botës.

Mes stadiumeve të prezantuar spikat projekti NEOM, i cili planifikohet të ndërtohet disa qindra metra mbi nivelin e detit. Gjashtë stadiume mendohet të ndërtohen në kryeqytetin Riad, mes tyre edhe stadiumi “Mbreti Salman”, me kapacitet mbi 92 mijë vende, që parashikohet të përfundojë në vitin 2029. Stadiume të tjerë janë ai “Mbreti Fahad” me 70 mijë vende kapacitet, “Princi Mohammed Bin Salman’, e disa të tjerë. Gjashtë stadiume të tjerë parashikohet të ndërtohen në Xhedah.

“NEOM do të jetë një përvojë si asnjë tjetër më parë”, thuhet në dokumentin e prezantuar. “I mbështjellë brenda infrastrukturës së qytetit dhe projektohet të jetë një prej ndërtimeve më të spikatura në botë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos