Pas kualifikimit të Dritës, Ballkanit dhe Deçiçit, mbrëmjen e sotme është radha e Partizanit dhe Egnatinas që të zbresin në fushë dhe të synojnë kualifikimin në turin e tretë të Conference League.
Rrogozhinasit do të luajnë sfidën e kthimit me islandezët e Vikingur. Egnatia niset nga fitorja 1 me 0 në Rekjavik dhe në “Loro Boriçi” do të kërkojë një tjetër sukses historik.
Në anën tjetër, Partizani duhet të rikuperojë disavantazhin e dy golave përballë gjeorgjianëve të Iberias.
Në “Elbasan Arena”, të kuqtë do të luajnë finalen e parë të sezonit të ri, sepse vazhdimësia në kupat e Europës përkthehet në të ardhura që mund të investohen për të përforcuar ekipin.
Partizani do të rreshtohet me formacionin ultra-ofensiv 4-3-3 në ndeshjen kundër Iberias. Synimi i të kuqve është që të gjejnë sa më shpejt golin, si mënyra e vetme për të rikuperuar disavantazhin e dyfishtë ndaj gjeorgjianëve.
Mba pritet të mbështetet nga Cara dhe Bintsuka. Trajneri Orges Shehi ka vendosur të shtojë potencialin ofensiv prej startit, për të mos humbur asnjë sekondë. Partizani zhvilloi stërvitjen e fundit në Elbasan Arena, aty ku drejtori Olsi Rama mbajti edhe një fjalim motivues përpara lojtarëve.
Të kuqtë nuk kanë në dispozicion Prekën e dëmtuar dhe Rrapajn që u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa ish-kapiteni Murataj është larguar dhe i’u bashkua Flamurtarit.
Të dyja ndeshjet nisin në orën 20:00. (A2 Televizion)