
Futbolli shqiptar mund të hyjë në një etapë të re zhvillimi. Ministri Blendi Gonxhja ka zhvilluar një takim zyrtar në Milano me Presidentin dhe CEO-n e F.C. Internazionale Milano, Giuseppe Marotta, në kuadër të projektit për krijimin e Inter Academy Albania.
Në takim ka marrë pjesë edhe Juxhini, drejtuesi i Inter Club Albania, me të cilin u diskutua konkretizimi i bashkëpunimit strategjik për ngritjen e standardeve të futbollit bazë në vend. Qëllimi kryesor: krijimi i mundësive reale për talentet e rinj në Shqipëri dhe rajon, nën modelin e një prej akademive më të njohura në Europë, shkruan A2 CNN.
Palët janë dakordësuar për hapat finalë, ndërsa shumë shpejt pritet vizita zyrtare e një delegacioni të Interit në Shqipëri, i kryesuar nga vetë Marotta. Gjatë kësaj vizite pritet edhe zyrtarizimi i marrëveshjes.
Ky projekt konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për sportin shqiptar, një partneritet me një brand global dhe një gur themeli për edukimin sportiv të brezave të ardhshëm. (A2 Televizion)
