Bayern Munchen ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm pak javë para ndeshjeve kundër Inter-it në çerekfinalet e Champions Leaggue, shkruan A2 CNN. Ylli i Kanadasë, Alphonso Davies, ka pësuar një dëmtim të rëndë në ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL), i cili do ta mbajë jashtë fushave për disa muaj. Ky dëmtim ndodhi gjatë ndeshjes për vendin e tretë në CONCACAF Nations League kundër kombëtares së Shteteve të Bashkuara, ku Davies u detyrua të largohej herët për shkak të shqetësimeve në këmbën e djathtë.
Përveç dëmtimit të Davies, edhe qendërmbrojtësi Dayot Upamecano ka pësuar një problem në gju. Upamecano luajti 120 minuta të plota në çerekfinalen e Nations League mes Francës dhe Kroacisë, ku ai luajti një rol vendimtar dhe shënoi penalltinë fituese në gjuajtjet e 11-metërshave. Megjithatë, pas kthimit në Mynih, analizat mjekësore zbuluan se ai ka probleme me kyçet e gjurit të majtë. Ndërsa ende nuk është përcaktuar shkalla e dëmtimit të tij, kjo situatë shton më shumë shqetësime për Bayern.
Me titullin kampion thuajse të siguruar, për shkak të distancës së madhe me Bayer Leverkusen në renditjen e Bundesliga-s, bavarezët kanë kthyer vëmendjen nga Champions League, finalja e së cilës do të luhet në Mynih.
Ndeshja e parë kundër Inter-it luhet në “Allianz Arena” më 8 prill, ndërsa e kthimit në “San Siro” më 16 prill. (A2 Televizion)