Argjentina është skuadra e parë nga Amerika Latine që siguron biletën në Botërorin 2026. Arritja u regjistrua katër ndeshje përpara mbylljes së kualifikueseve dhe përballë rivalëve të mëdhenj të Brazilit.
Edhe pse pa Leo Messin apo Lautaro Martinez, “albiçelestët” fituan me rezultatin e thellë 4-1, duke e rritur në 16 pikë diferencën nga vendi i shtatë në renditje. Julian Alvarez zhbllokoi ndeshjen pas vetëm 4 minutave, teksa në të 12-ën Enzo Fernandez dyfishoi shifrat, shkruan A2.
Brazili provoi të rikthehej në lojë dhe shkurtoi diferencën me rrjetën e Cunhas në të 26-ën, por ai episod nuk mjaftoi. “Seleçao” nuk mundi të bënte asgjë përballë sulmeve të paparashikueshme të argjentinasve, që pas 37 minutave lojë hipotekuan fitoren, me golin e tretë të shënuar nga MacAllister.
Rrjeta e katërt, që vulosi edhe pokerin fitues, u realizua nga Simeone, i aktivizuar nga stoli. Festa në stadiumin “Monumental” të River Plate u kompletua dhe Argjentina siguroi kualifikimin matematik në Botërorin e ardhshëm.
Brazili pësoi humbjen e katërt në pesë duelet e fundit direkte dhe profecia e Raphinhas për triumf me goleadë të “Seleçaos” u kthye në bumerang. Sulmuesi u largua nga fusha mes tensionit dhe debateve me lojtarët e Argjentinës, ndërsa trajneri Dorival Junior vendoset sërish në bangën e të akuzuarve dhe rrezikon shkarkimin. (A2 Televizion)