Kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria luftë me Serbinë për play-off

Nga A2 CNN
25 Mars 2025, 17:06 | Futboll

Kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria luftë me Serbinë

Dy ndeshjet e para në Grupin K kualifikues të Botërorit2026 dhanë konfirmime të qarta. Anglia mbetet skuadra më e mirë dhe rivalët direkt të Shqipërisë do të jenë serbët.

Pikërisht ndaj tyre do të përqendrohet lufta për vendin e dytë, që përkthehet në kualifikim në fazën play-off drejt Botërorit 2026. Momentalisht, anglezët kryesojnë me 6 pikë të plota, ndërsa kuqezinjtë janë në vendin e dytë me 3 pikë, po aq sa ka edhe Letonia, por me golavarazh më të mirë.

Serbia, e angazhuar në duelet me Austrinë në Nations League, ku siguroi qëndrimin në Ligën A, nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje kualifikuese. Dueli i 7 qershorit në Tiranë kundër Kombëtares kuqezi do të shënojë debutimin e tyre në turne.

Ajo përballje shihet pikërisht edhe si e para nga dy finalet në luftën për vendin në play-off e botërorit.

Shqipëria ka si rival direkt serbët në këto kualifikuese dhe ajo ndeshje në Arenën Kombëtare do të përbëjë udhëkryqin e parë të edicionit.

Më pas sipas kalendarit, pas dy sfidave me Letoninë, djemtë e Sylvinhos do të luajë në transfertë me Serbinë më 11 tetor.

Këto janë duelet që do të vendosin fatin e kualifikueseve për Kombëtaren. Ëndrra për të siguruar pjesëmarrjen e parë historike në Kupën e Botës, kalon pikërisht nga ato përballje me rivalët historikë, që këtë herë janë edhe kundërshtarë direkt.

Ndeshja e fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor, më tepër se sa shpresë për të marrë pikë, do të jetë mënyra për mbyllje prestigjioze të eliminatoreve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos