Befasi në Serie A, Roma shkarkon De Rossi-n 4 javë nga nisja e kampionatit

Nga A2 CNN
18 Shtator 2024, 09:38 | Futboll

Befasi në Serie A, Roma shkarkon De Rossi-n 4 javë nga nisja e

Janë luajtur vetëm 4 javët e para në Serie A, por drejtuesit e Romës nuk kanë pritur më gjatë dhe kanë shkarkuar trajnerin Daniele De Rossi për shkak të rezultateve të dobëta.

Roma ka marrë vetëm 3 pikë në këto javë, duke barazuar në 3 takime, ndërsa ka humbur një tjetër. Ndeshja e fundit e verdhekuqve ishte në transfertë ndaj Genoa-s, e cila u mbyll në barazim 1-1. Kryeqytetasit ishin në avantazh deri në minutat e shtesës kur pësuan gol duke i ikur fitorja nga duart, shkruan A2 CNN.

Klubi e zyrtarizoi shkarkimin me anë të një njoftimi për mediat: “AS Roma njofton se ka liruar Daniele De Rossin nga roli i trajnerit të ekipit të parë.

Vendimi i Klubit është marrë në interes të skuadrës, në mënyrë që të mund të rifillojë sa më shpejt rrugën e dëshiruar, në një kohë kur sezoni është ende në fillimin e tij.

Për Danielen, i cili do të jetë gjithmonë në shtëpi në klubin verdhekuq, një falënderim të përzemërt për punën e kryer muajt e fundit me pasion dhe përkushtim. Do të vijojnë komunikimet mbi udhëheqjen teknike të ekipit”, thuhet në njoftimin e klubit që zyrtarizon shkarkimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos