Derbi i kryeqytetit Tirana-Dinamo do të luhet në stadiumin Flamurtari në Vlorë. Dy skuadrat me më shumë tituj në Shqipëri do të matim forcat në kuadër të javës së 9 të Kategorisë Superiore rreth 154 km larg nga kryeqyteti.
Bardheblutë si pritës në këtë sfidë, kërkonin që ndeshja të zhvillohej në kryeqytet, në Arenën Kombëtare madje pranuan që të paguanin dhe 11 mijë euro por Federata Shqiptare e futbollit e ka refuzuar diçka të tillë. Kjo për shkak se fusha është në gjendje të keqe dhe do të mbillet, për të qenë gati për takimet e nëntorit të ekipit kombëtar. Jo vetëm Arena kombëtare por edhe “Elbasan Arena” është i kyçur, me argumentin se fusha do të mbillet, shkruan A2.
Për këtë arsye, derbi i kryeqytetit do të luhet në Vlorë ditën e shtunë, orari i sfidës ende nuk është zyrtarizuar, kjo për shkak të problemeve që ky stadium ka me sistemin e ndriçimit.
Impianti nuk ka marrë licencën për ndeshje me drita dhe që takimi të luhet me ndriçim artificial, duhet marrë një leje në FSHF-ja. Nëse këta të fundit japin aprovimin e tyre, ndeshja të luhet në orën 17:00 të shtunën, nëse jo derbi Tirana-Dinamo do të zhvillohet në orën 14:00, nën dritën e diellit. (A2 Televizion)