Bodø/Glimt shkruan historinë dhe konfirmohet si makthi i ekipeve italiane

Nga A2 CNN
10 Prill 2025, 21:54 | Futboll

Bodø/Glimt shkruan historinë dhe konfirmohet si makthi i ekipeve

Bodø/Glimt ka hedhur një hap gjigant drejt gjysmëfinales së UEFA Europa League, duke mposhtur me rezultatin 2-0 Lazion në ndeshjen e parë çerekfinale në “Aspmyra Stadion”. Ky është një sukses historik për norvegjezët, që synojnë të bëhen skuadra e parë nga vendi i tyre që arrin këtë fazë në një garë europiane.

Që në minutat e para, vendasit dominuan lojën. Jens Petter Hauge dhe Patrick Berg provuan portierin Mandas, ndërsa Ole Didrik Blomberg humbi një rast të artë pas një pasimi të bukur nga Saltnes. Lazio pati një mundësi të vetme të pastër në pjesën e parë, por gjuajtja me kokë e Marušić u ndal nga Khaikin.

Vetëm 66 sekonda pas pushimit, Superlaget gjeti golin e parë. Evjen nisi aksionin, Hauge dha asistin dhe Saltnes finalizoi bukur. Bodø/Glimt vazhdoi të kërcënonte, dhe në minutën e 70-të, pas një pasimi të saktë nga Hauge, Saltnes shënoi sërish për të dyfishuar rezultatin.

Lazio, e mposhtur nga dëbora dhe presioni i vendasve, nuk arriti të reagojë, ndërsa Mandas shmangu një hat-trick të mundshëm të Saltnes në fund.

Me shtatë suksese në nëntë përballjet e fundit me dy ndeshje në Evropë, Bodø/Glimt e pret me besim të madh kthimin në Olimpico. Për momentin, avantazhi është i qartë: Norvegjia është më pranë se kurrë një gjysmëfinaleje europiane. Ndërkohë, Bodø/Glimt është konfirmuar si makthi i skuadrave italiane, pasi në të kaluarën në këtë stadium ka mposhtur Milanin e ka shkatërruar Romën 6-1. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos