Arsenali ka korrur një fitore madhështore 3-0 ndaj Real Madridit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke hyrë në historinë e klubit dhe duke marrë një avantazh të jashtëzakonshëm për sfidën e kthimit në “Santiago Bernabéu”.
Në një mbrëmje elektrizuese në “Emirates”, londinezët dominuan një Real Madrid që nuk gjeti dot ritmin e zakonshëm. Arsenali tentoi që në fillim të sulmonte me Rice dhe Martinellin që kërcënuan portën e mbrojtur nga Courtois.
Në pjesën e parë pati raste për të dyja skuadrat – Vinícius gjuajti jashtë, ndërsa Mbappé u ndal nga Raya. Nga ana tjetër, Saka shpërndau disa topa të rrezikshëm në zonë, por pa u finalizuar. Rice ishte më pranë golit, por portieri belg ndaloi çdo tentativë.
Pas pushimit, Arsenali shpërtheu. Rice zhbllokoi rezultatin me një goditje dënimi të bukur në minutën e 59-të, dhe vetëm 12 minuta më vonë ai realizoi një gol edhe më të bukur, me një tjetër perlë në trekëndësh. Festa u plotësua kur Lewis-Skelly asistoi për Mikel Merinon, i cili shënoi golin e tretë në minutën e 75-të.
Si të mos mjaftonte humbja, Real Madridi mbeti me 10 lojtarë pas ndëshkimit të Camavingas me kartonin e dytë të verdhë. Arsenal shkon në Madrid me një epërsi prej tre golash dhe me ëndrrën e madhe për t’u kthyer në elitën e Evropës. (A2 Televizion)