Skuadra e Bolonjës ka shkruar histori në mbrëmjen e së mërkurës në “Stadio Olimpico” të Romës, duke mposhtur Milanin me rezultatin minimal 1-0 dhe duke fituar Kupën e Italisë për herë të tretë në historinë e saj, pas plot 51 vitesh pritjeje.
Ndeshja finale ishte e tensionuar dhe me pak hapësira gjatë pjesës së parë, por në fillim të fraksionit të dytë ishte Ndoye ai që zhbllokoi rezultatin dhe vendosi fatin e këtij trofeu prestigjioz.
Trajneri i Milanit, Sérgio Conceição, provoi të përsëriste përmbysjen spektakolare që realizoi në kampionat ndaj Bolonjës disa ditë më parë, por ndryshimet e tij këtë herë nuk sollën efektin e dëshiruar. Kuqezinjtë nuk arritën të rikthehen në lojë dhe kështu mbeten pa trofeun e Kupës që prej vitit 2003.
Fitorja e Bolonjës është një moment historik për klubin dhe tifozët e saj, duke rikthyer lavdinë pas më shumë se pesë dekadash dhe duke e mbyllur sezonin me një sukses të paharrueshëm. (A2 Televizion)