Champions League/ Barcelona hakmerret ndaj Bayern, fitojnë City dhe Inter

Nga Dea Kozma
24 Tetor 2024, 10:57 | Futboll

Champions League/ Barcelona hakmerret ndaj Bayern, fitojnë City dhe Inter

Hakmarrje, gola dhe emocione të mëdha dhuroi mbrëmja e së mërkurës në Champions League.

Barcelona i dha një leksion të mirë Bayernit, duke e mundur me rezultatin 4-1. Raphinha zhbllokoi rezultatin që në fillim, mirëpo dhe reagimi i Bayernit erdhi menjëherë. Fillimisht anglezit Harry Kane i anulohet një gol për pozicion jashtë loje, ndërsa pak minuta më vonë sulmuesi barazoi rezultatin në 1-1.

Barcelona nuk u dorëzua dhe me Lewandowskin në minutën e 36 riktheu avantazhin. Kapiteni Raphinha ishte në mbrëmjen e tij dhe pak para pushimit realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën. Edhe në fraksionin e dytë, skuadra e Kompany u përpoq të reagonte për t’u rikthyer në lojë, por një kundërsulm i katalanasve me Lamine Yamal dhe Raphinha solli dhe golin e katërt për ekipin spanjoll.

Pas kësaj sfide, Barcelona ngjitet në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Bayern mbetet me 3 pikë.

Stërvitje ishte për Manchester City që shkatërroi 5-0 Spartën e Pragës në “Etihad Stadium”. Foden, Haaland dhe Stones e kishin shumë të lehtë të shënonin në portën çeke. Pjesë e Spartës së Pragës në formacionin titullar ishte dhe mesfushori i kombëtares shqiptare, Qazim Laçi, që luajti për 90 minuta, ndërsa Rrahmani dhe Krasniqi u aktivizuan nga stoli.

Fitore e rëndësishme dhe për Liverpool që mundi 1-0  Leipzig në “RedBull Arena”. Vendasit e nisën mirë duke krijuar disa mundësi përballë portës, por skuadra e Arne Slot u zgjua në minutën e 27 me Darwin Nunez që zhbllokoi rezultatin. Anglezët kishin disa raste për të shënuar dhe më shumë, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Pas kësaj ndeshje, Liverpool merr fitoren e tretë radhazi, duke kryesuar në Ligën e Kampionëve me 9 pikë të plota, së bashku me Aston Villa.

Humbje e pabesueshme për Atletico Madrid, që u përmbys me rezultatin 1-3 nga Lille. Në minutën e 8 Alvarez kaloi spanjollët në avantazh, por festa nuk zgjati shumë. Zhegrova, fillimisht në pankinë, u fut në vend të Sabela dhe loja ndryshoi tërësisht. Në pjesën e dytë ishte futbollisti kosovar që barazoi rezultatin me një goditje të bukur me të majtën. Lille mori forcë dhe Jonatan David me dy golat e tij vulosi fitoren 3-1 të francezëve. Një disfatë që vështirëson dhe më shumë pozitat e Atleticos në klasifikim, pasi aktualisht është në vendin e 27 me 3 pikë pas 3 ndeshjeve.

Fitore regjistroi dhe Inter që mundi 1-0 Young Boys në Zvicër. Zikaltërit humbën një penallti me Arnautovic, por nuk u dorëzuan deri në fund dhe Thuram në minutën e 92 shpërtheu festën zikaltër.

Ndërkohë, në takimet e tjera, Atalanta barazoi me Celtic, Benfica fitoi 5-1 me Feyenoord, ndërsa Bayer Leverkusen barazoi 1-1 me Brest. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos