Datat e sfidave në EURO 2024, Shqipëria debuton kundër Italisë, e mbyll me Spanjën

Nga Erald Kodhelaj
3 Dhjetor 2023, 11:06 | Futboll

Datat e sfidave në EURO 2024, Shqipëria debuton kundër

Pasi goglat e vendosën Shqipërinë përballë Italisë, Spanjës dhe Kroacisë, pozicionimi i ekipeve në grupe përcaktoi edhe kalendarin e ndeshjeve.

Në finalet e Euro 2024, kuqezinjtë do të debutojnë më 15 qershor kundër Italisë, kampione të Europës në fuqi. Ndeshja do të zhvillohet në ditën e dytë të evenimentit në Gjermani dhe do të luhet në stadiumin e Dortmundit.

Kombëtarja zbret në fushë përballë të kaltërve në orën 21:00 të mbrëmjes, ndërsa më përpara, në orën 18:00 do të ndeshen dy ekipet e tjera të Grupit B, Spanja dhe Kroacia.

Sipas kalendarit të përcaktuar, ndeshja e dytë e kuqezinjve do të luhet më 19 qershor. Shqipëria do të zbresë në fushë kundër Kroacisë në Hamburg, me përballjen që do të nisë në drekë, prej orës 15:00.

Për shkak të zhvillimit të tre ndeshjeve në ditë, përballja tjetër e grupit, ndërmjet Spanjës dhe Italisë, do të luhet një ditë e gjysmë më pas, më saktësisht mbrëmjen e datës 20 qershor.

Pas debutimin me Italinë, Kombëtarja e luan ndeshjen e fundit në grupet e Euro 2024 me Spanjën. Takimi është përcaktuar të luhet në Dysseldorf, në datën 24 qershor, prej orës 21:00. Sipas rregullores ndeshjet e fundit në grupe luhen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar, duke bërë që paralelisht në fushë të zbresin edhe Kroacia me Italinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos