Derbi i Italisë, spektakël me 8 gola mes Inter dhe Juve

Nga Dea Kozma
27 Tetor 2024, 20:10 | Futboll

Derbi i Italisë, spektakël me 8 gola mes Inter dhe Juve

Spektakël me 8 gola në derbin e Italisë, por në fund nuk pati një fitues. Inter barazoi 4-4 me Juventusin në "San Siro" në duelin e vlefshëm për javën e nëntë të Serie A. Ndeshja nisi e bukur dhe me shumë emocione. Zielinski zhbllokoi sfidën nga pika e bardhë e penalltisë. Megjithatë, festa zikaltër zgjati shumë pak, pasi Zonja e Vjetër reagoi menjëherë. Ishte Dushan Vlahovic dhe pas tij Kean që përmbysën rezultatin në "San Siro".

Zikaltrit nuk u dorëzuan dhe kthyen barazpeshën me Mkhitaryan. Loja ishte e hapur për të dyja skuadrat, të cilat tentonin me ngulm fitoren. Interistët rikthyen avantazhin falë një tjetër penalltie të realizuar saktë nga polaku Zielinski. Edhe në pjesën e dytë ritmi ishte po aq i lartë. Dumfries shënoi golin e katërt me një diagonale të saktë pas një goditjeje nga këndi.

Megjithatë, Juventusi shtoi forcat dhe ishte talenti Yildiz që realizoi dy gola të bukur dhe barazoi sërish rezultatin. Ndonëse të dy ekipet tentuan deri në fund për të marrë tre pikët, asgjë nuk ndryshoi. Pas kësaj ndeshje, Inter mbetet në vendin e dytë me 18 pikë, 1 më shumë se Juventusi në vendin e tretë. Ndërkohë, në krye vijon të qëndrojë Napoli, që pas 9 javësh ka grumbulluar 22 pikë, duke u shkëputur me 4 pikë nga zikaltërit në vendin e dytë.

Goleadë kishte edhe në Firence, ku Fiorentina i dha një leksion të mirë Romës, duke e mundur me rezultatin 5-1. Kryeqytetasit ishin shumë larg pritshmërive dhe u ndëshkuan me tre gola që në pjesën e parë. Kouame shënoi dy herë, dhe pas tij Beltran bëri të pavlefshëm golin e Kumbullës në minutën e 39-të. Edhe në pjesën e dytë historia nuk ndryshoi, pasi vjollcët shënuan dhe dy herë të tjera. Bove dhe një autogol i Kumbullës mbyllën takimin me rezultatin final 5-1. Pas kësaj disfate, Roma shkon në vendin e 11-të me 10 pikë, ndërsa Fiorentina ngjitet në vendin e katërt me 16 pikë pas 9 javësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos