Bota ndalet. Të gjithë i kanë sytë nga El Clasico. Duelet ndërmjet Realit të Madridit dhe Barcelonës përbëjnë kapitujt kyç të historisë së futbollit.
Këtë të shtunë, duke nisur prej orës 21, madrilenët dhe katalanasit do të përballen në sfidën e parë të sezonit, për të marrë tri pikët dhe kreun e renditjes në La Liga. Rivaliteti ikonik është shndërruar në fenomen global, me tifozë në të katërta anët e botës dhe pritshmëri të mëdha. Një sfidë e nisur më13 maj të vitit të largët 1902 e që vazhdon më i ethshëm se kurrë.
Largimi nga skena i Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos u duk sikur e zbehu disi rivalitetin elektrizues të dekadës së fundit, megjithatë El Clasico është rikthyer fuqishëm.
Forma e jashtëzakonshme e Barcelonës me Hansi Flick në stol dhe yjet që propozon në fushë Reali i Madridit, kanë ndikuar që kjo ndeshje të jetë sërish epike. Përballja e sotme në “Santiago Bernabéu” do të jetë edhe derbi i parë spanjoll për yllin e ri të merengues, Kylian Mbappé. (A2 Televizion)