Mediat britanike raportojnë se dy futbollistë profesionistë të Premier Ligës angleze janë arrestuar nga policia pasi dyshohen për ngacmim seksual.
Policët kanë shkuar për të arrestuar dy futbollistët në ambientet e stadiumit të klubit, por aty kanë gjetur vetëm njërin prej tyre.
Futbollisti 19-vjeçar akuzohet për sulm, ndihmë e nxitje për një përdhunim. Burimet e The Sun thanë se ai u lejua të largohej nga stadiumi pas një interviste të shkurtër përpara se të arrestohej më vonë.
Futbollisti e kaloi natën në qeli dhe më vonë u pyet nga detektivët me kujdes. Shoku i tij i skuadrës, gjithashtu 19 vjeç, u arrestua të nesërmen dhe u mor në pyetje me dyshimin për përdhunim.
Dyshja më pas janë lënë të lirë me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Ndërkohë, dyshohet se përdhunimi për të cilin po hetohen, ka ndodhur mbrëmjen e së premtes. Viktima e supozuar kontaktoi oficerët disa orë më vonë dhe paraqiti një ankesë zyrtare.
Ky duket të jetë vetëm skandali i radhës seksual në Premier League, me kampionatin anglez që ka parë ndër vite një sërë yjesh të përfundojnë pas hekurave pas hetimeve për të njëjtën çështje.
Sulmuesi i Manchester United, Mason Greenwood u pezullua në vitin 2022 pasi u arrestua për tentativë përdhunimi. Çështja ndaj tij u pushua më vonë dhe ai tani është në huazim te skuadra spanjolle Getafe.
Po ashtu, ish-mbrojtësi i Manchester City, Benjamin Mendy u lirua nga akuzat e shumta për përdhunime pas dy gjyqeve vitin e kaluar dhe tashmë luan te francezët e Lorient. (A2 Televizion)