Pasi u shpall kampione e Shqipërisë, Egnatia ka nisur të mendojë që tani për ndeshjet në Champions League.
Drejtuesit e klubit nuk kanë humbur kohë dhe kanë bërë publike përforcimet e fundit në skuadër. Regi Lushkja vetëm pak orë pasi njoftoi largimin nga Tirana, është prezantuar si futbollisti më i ri i rrogozhinasve.
Siç raportohet, lojtari nga Kavaja, ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare dhe pritet të jetë një vlerë e shtuar dhe për trajnerin Edlir Tetova. Mesfushori 28-vjeçar u aktivizua në 34 ndeshje sezonin e kaluar me ngjyrat bardheblu, ndërsa arriti të shënojë edhe një gol.
Jo vetëm Lushkja në mesfushë, por Egnatia ka përforcuar dhe mbrojtjen. Bëhet fjalë për futbollistin nga Azerbajxhani, Zamig Alijev, i cili luan në qendër të mbrojtjes. 23-vjeçari ishte pjesë e Araz-Nakhçivan në elitën e futbolli azer, ndërsa tani zgjodhi Egnatian për të vijuar karrierën e tij.
Shorti për turin e parë kualifikues në Champions League do të hidhet në datën 18 qershor ndërsa ndeshja e parë është programuar më 9 ose 10 korrik. (A2 Televizion)