Barcelona – Real Madrid. Kjo do të jetë finalja e Superkupës së Spanjës. Katalanasit prenë biletën për aktin e fundit në Riad, pasi mposhtën 2-0 Osasunan dhe të dielën do të sfidojnë Los Blancos.
Gjithçka sipas parashikimeve në gjysmëfinalen e dytë, me katalanasit që vuajtën, megjithatë ia dolën të fitonin brenda kohës së rregullt të lojës.
Ndeshja u zhbllokua në të 59-ën me rrjetën e Lewandowski, i cili shfrytëzoi asistin gjenial të Gündoğan dhe më në fund mposhti portierin Sergio Herrera, që deri në atë moment dukej i pathyeshëm.
Goli që vulosi ndeshjen u shënua nga fenomeni Yamal, që konkretizoi në shtesë aksionin e shkëlqyer të Joao Felix. 16-vjeçari e shfrytëzoi maksimalisht mundësinë e dhënë dhe me të mbylli çdo diskutim.
Barcelona nuk paraqiti lojën më të mirë të mundshme, megjithatë fitoi 2-0 dhe fluturoi në finale. Edhe një herë blaugranat do të luajnë përballë Realit, ku do të kërkojnë triumfin e 15-të në histori në Superkupë, për të thelluar rekordin e fitoreve në këtë aktivitet. (A2 Televizion)