Me vetëm 1 pikë por me performanca për t’u vlerësuar përballë kampionëve si Italia, Spanja e Kroacia, kombëtarja e Shqipërisë mbylli Europianin e saj duke u renditur e fundit në grupin e “Vdekjes”.
Djemtë kuqezi të drejtuar nga tekniku Silvinjo u kthyen të martën në atdhe dhe tashmë kanë nisur secili pushimet individuale, për t’u grumbulluar më pas në fazat përgatitore të klubeve përkatëse.
Emra si Broja, Mitaj, Manaj, Asani dhe Strakosha përfliten në merkato, por edhe e ardhmja e teknikut Silvinho është e paqartë pas përfundimit të kontratës me mbylljen e eksperiencës në Euro 2024.
Ndërkohë mes pushimeve dhe etheve të merkatos, kuqezinjve ju duhet të mendojnë edhe për rikthimin në fushë me përfaqësuesen, pasi nuk është më larg sesa dy muaj. Shqipëria do të rinisë të luajë, në shtator, ku do të zbresin dy herë në fushë për ndeshjet e Ligës B të Nations League.
Kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin B1, ku gjejmë një kundërshtar si Çekia, të cilëve iu morëm 4 pikë në kualifikueset për Euro 2024, por edhe Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Më 7 shtator djemtë e Kombëtares do të sfidojnë Ukrainën, me ndeshjen që do të luhet në fushën asnjanëse, “EPET Arena” të Pragës.
Ndërkohë, më 10 shtator kuqezinjtë rikthehen të luajnë përballë publikut vendas në “Arenën Kombëtare” dhe përballë kanë Gjeorgjinë.
Të premten e 11 tetorit është në program takimi me Çekinë po në “EPET Arena”, ndërsa të hënën e 14 tetorit në “AdjaraBet Arena” të Batumit shkojmë si miq në përballjen me Gjeorgjinë.
Në 16 dhe 19 nëntor Kombëtarja do të zbresë në fushën e “Air Albania” për dy sfidat me Çekinë dhe Ukrainën. (A2 Televizion)