Federata Serbe: Pritje e jashtëzakonshme për ne nga FSHF dhe Duka. Mos sulmoni trajnerin për sjelljen e turpshme në tribuna

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 12:24 | Futboll

Federata Serbe: Pritje e jashtëzakonshme për ne nga FSHF dhe Duka. Mos

Federata Serbe e Futbollit ka reaguar për sulmeve në mediat serbe ndaj trajnerit të skuadrës kombëtare, Dragan Stojkovic, i cili vlerësoi atmosferën e krijuar në Arenën Kombëtare të shtunën gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Në një deklaratë zyrtare për mediat, Federata Serbe e quan sjelljen e tifozëve shqiptarë, padrejtësisht, si humbje për futbollin. Por vlerëson sjelljen e FSHF dhe presidentit Armand Duka, për trajtimin që iu bë kombëtares serbe.

“Përpara të vërtetës së shëmtuar, me të cilën u përballën lojtarët tanë në fushë, duam të theksojmë faktin se e gjithë ekspedita e Federatës së Futbollit të Serbisë, që nga minuta e parë deri në minutën e fundit të qëndrimit të tyre në kryeqytetin shqiptar, pati një pritje të jashtëzakonshme nga Federata e Futbollit të Shqipërisë dhe presidenti Armand Duka. Që nga pritja në aeroport deri në nisjen nga Tirana, ndiem respekt dhe vëmendje”, thuhet në deklaratën e federatës, shkruan A2 CNN. “Me mirënjohje ndaj Federatës së Futbollit të Shqipërisë për mikpritjen gjatë qëndrimit tonë në Tiranë, dënojmë gjithçka që mund të dëgjohej dhe shihej nga tribunat e Stadiumit Kombëtar”.

Federata Serbe: Pritje e jashtëzakonshme për ne nga FSHF dhe Duka. Mos

Federata Serbe quan absurd faktin që mediat shkruajnë se Stojkoviç mbështet ekstremistët, pasi në konferencën pas ndeshjes ai vlerësoi atmosferën, pa komentuar thirrjet që për palën serbe ishin ekstremiste. “Dua të dënoj qartë dhe pa mëdyshje çdo brohoritje që fyen popullin serb dhe ekipin kombëtar serb, apo këdo tjetër. Fenomene të tilla nuk kanë vend në fushat sportive”, citohet të ketë thënë Stojkoviç.

Ndeshja e të shtunës përfundoi në barazim 0-0. Shqipëria pati rastin më të mirë për ta fituar takimin, pasi mori një penallti në fundin e pjesës së parë, por që u humb nga Rey Manaj. Pas këtyre ndeshjeve, Shqipëria renditet në vend të dytë në grup, me 4 pikë. Sfida e radhës për kuqezinjtë është ajo në Riga kundër Letonisë të martën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos