“Jashtëzakonisht zhgënjyese”, pse Haga shtyu vendimin për ish-krerët e UÇK-së

Nga Erjon Dervishi
2 Korrik 2026, 18:40 | Kosova

Dy profesorët dhe njohësit e mirë të zhvillimeve në Kosovë dhe Ballkan, Daniel Serwer dhe Edward Joseph, kanë mendime të ndryshme për vendimin e së mërkurës të Gjykatës Speciale, sipas të cilit aktgjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” do të shpallet më 16 shtator.

I pari tha për KosovaPress se kjo gjë është e mirë, pasi është shenjë e qartë se Gjykata Speciale po has vështirësi për të marrë një vendim.

“Nuk e di saktësisht si ta interpretoj këtë. Sa më shumë që zgjat, në një farë mënyre aq më mirë është, sepse është një shenjë e qartë se ata po hasin vështirësi për të marrë një vendim. Siç e dini, unë nuk jam i kënaqur me këtë gjykatë dhe mendoj se ajo ka vepruar padrejtësisht duke i mbajtur këta njerëz në burg për pesë vite. Dhe mendoj se është gabim që është ndryshuar fokusi i gjykatës, e cila duhej të merrej me pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh”, tha Serwer për KosovaPress.

Por, sipas Edward Joseph, shtyrja e aktgjykimit është jashtëzakonisht zhgënjyese.

Sipas tij, me këtë stërzgjatje ngrihen dilema shtesë për kompetencat e Dhomave të Specializuara.

“Mendoj se është jashtëzakonisht zhgënjyese. Mendoj se kjo pasqyron dhe ngre pyetje shtesë për kompetencën e këtyre Dhomave të Specializuara, të cilat kanë marrë kaq shumë kohë dhe i kanë mbajtur këta individë për një periudhë kaq të gjatë, dhe fakti që e shtyjnë këtë vendim mendoj se reflekton shumë keq mbi Dhomat e Specializuara”, tha Joseph për KosovaPress.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Vendimi i së mërkurës përbën herën e dytë që Gjykata Speciale e shtyn afatin për shpalljen e aktgjykimit në lidhje me katërshen e UÇK-së.

Fjala përfundimtare e gjykatës pritej në maj, por ajo u shty për herë të parë për më së voni deri më 20 korrik. Të mërkurën, më 1 korrik, ndodhi edhe shtyrja e dytë, për 16 shtator. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos