
Pas 120 minutash “luftë”, duhet të vinin shtrëngimet e duarve mes fituesit dhe humbësit. Por në fakt, në finalen e madhe të Botërorit, të fituar nga Spanja 1-0 kundër Argjentinës, u pa një përleshje e ashpër mes disa prej lojtarëve, të cilën nuk e ndanë dot as arbitrat dhe as më “paqësorët” e të dy palëve.
Gjithçka nisi kur mesfushori i Argjentinës, Leandro Paredes, shtyu në tokë Gavin e Spanjës, ndërsa lojtarët e stolit hynë në fushë për të festuar fitoren. Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ndërhyri për të qetësuar situatën në fund të një ndeshjeje tepër të luftuar.
Paredes u pa duke u përleshur me Gavin, duke e rrëzuar në tokë dhe duke e kapur nga jeleku, pasi fillimisht ishte përplasur me Eric Garcían, përpara se të kthente vëmendjen te Gavi, i cili po përleshej me Thiago Almadan e Argjentinës. Për këtë sherr, Paredes u ndëshkua me karton të kuq, edhe pse ndeshja kishte përfunduar.
Amerikano-jugorët e mbyllën takimin me 10 vetë, pasi mesfushori Enzo Fernández u ndëshkua me karton të kuq gjatë lojës.
Spanja mposhti Argjentinën pas kohës shtesë falë një goli të shënuar nga zëvendësuesi Ferran Torres, duke fituar kështu Kupën e dytë të Botës në historinë e saj. (A2 Televizion)