
Ditën e sotme, në stadiumin ‘Air Albania’ u luajt ndeshja e Kombëtares shqiptare me Anglinë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit.
Shqipëria humbi me rezultatin 0-2 me Anglinë, me dopietën e Harry Kane, i cili pas ndeshjes foli për mediat, shkruan A2 CNN.
Kane e cilësoi ndeshjen me Shqipërinë si një nga më të vështirat e grupit, teksa tha se fitorja u arrit pas presionit të lartë nga skuadra angleze.
“Ishte një ndeshje vërtet e vështirë, një nga më të vështirat që patëm në grup. Na u desh të ishim të duruar dhe t’i bënim presing, gjë që e bëmë dhe përfunduam me një fitore 2-0 dhe një tjetër rrjetë të paprekur.
Në pjesën e parë bëmë goditje nga jashtë portës, pastaj kur hyri Saka, e dinim sa i mirë është ai me shtyllën e parë. Kështu që shkuam në shtyllën e parë, patëm pak fat me goditjen standarte, por për fat të mirë isha aty për ta devijuar.
Nëse do të shkosh larg në çdo turne, të nevojitet një skuadër e tërë, të nevojiten lojtarë që nuk janë vetëm titullarë, që vijnë nga stoli dhe bëjnë diferencën. Kështu është futbolli. Nuk janë vetëm 11 që luajnë, djemtë hyjnë dhe bëjnë diferencën", tha mes të tjerash Kane. (A2 Televizion)
