Mbrëmjen e të dielës Serie A mbylli sezonin e saj duke dhënë dhe verdiktet finale për të gjitha skuadrat.
Juventusi siguroi pjesëmarrjen në Champions League pasi fitoi 2-3 në Venecia, që ra zyrtarisht nga elita.
Vendasit e nisën takimin mirë duke shënuar që në minutën e parë mirëpo dhe kundërpërgjigja e miqve nuk vonoi. Fillimisht Yildiz dhe pas tij Kolo Muani përmbysën rezultatin po në pjesën e parë.
Haps rihapi llogaritë me golin e tij në minutën e 55, por vetëm kaq nuk mjaftoi. Manuel Locatelli ktheu në gol një 11 metërsh dhe shpërtheu festën bardhezi.
Në anën tjetër Empoli i Ardijan Ismajlit u mund nga Verona me rezultatin 1 me 2 dhe i bashkohet Monzës dhe Venecian në Serinë B edicionin e ardhshëm. Sa i përket mbrojtësit të kombëtares shqiptare, u aktivizua në fushë për 90 minuta dhe u vlerësua me notën 7.1
Lazio mbeti pa pjesëmarrje në arenën europiane duke u mundur 1-0 nga Lecce në javën e fundit. Golin e vetëm të takimit e shënoi Kulibali. Pas këtij suksesi, skuadra ku aktivizohen 2 mesfushorët shqiptarë, Ramadani dhe Berisha siguroi qëndrimin në Serinë A, për të paktën edhe 1 sezon. Festa e madhe shpërtheu në dhomat e zhveshjes me lojtarët e Lecces që festonin këtë sukses.
Në takimet e tjera, Atalanta u mund 2-3 nga Parma, por bergamaskët e kishin siguruar vendin e tretë ndërsa Roma fitoi 0-2 në Torino duke siguruar një vend në Europa League sezonin tjetër ndërsa Fiorentina do të luajë në Conference League. (A2 Televizion)