Juxhin Xhaja dhe Florian Lata, arbitrat shqiptarë zgjidhen nga UEFA, vendosin drejtësi në Europë

Nga Dea Kozma
29 Korrik 2026, 14:38 | Futboll

Juxhin Xhaja dhe Florian Lata, arbitrat shqiptarë zgjidhen nga UEFA,

Besimi i UEFA-s ndaj arbitrimit shqiptar vazhdon të rritet. Dy emra të njohur Juxhin Xhaja dhe Florian Lata, do të jenë sërish sot protagonistë në arenën europiane, duke vendosur drejtësi në ndeshje me rëndësi të veçantë.

Juxhin Xhaja do të jetë në sfidën e turit të dytë kualifikues të UEFA Champions League mes Lech Poznan dhe Aarhus, që zhvillohet në Poloni. Në këtë takim ai do të asistohet nga Arbër Zalla dhe Taulant Kasa, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Andi Koçi, shkruan A2 CNN. Në dhomën e VAR-it është Albert Doda. Emërimi i Xhajës në një ndeshje të Champions League konfirmon edhe një herë besimin që UEFA vazhdon t'i japë arbitrit shqiptar, i cili është pjesë e listës së FIFA-s që prej vitit 2018.

Ndërkohë, edhe Florian Lata vijon të ngjisë shkallët e arbitrimit ndërkombëtar. Vetëm pak javë më parë ai mori një nga vlerësimet më të mëdha të karrierës, duke drejtuar finalen e Kampionatit Europian U-17 tani ka një tjetër detyrë në Europë, të arbitrojë në turin e dytë kualifikues të Conference League, takimi mes Jablonec-Varazdin. Erind Burgu dhe Egin Doda do te jene asistentët e tij, ndërsa Ermis Celaj gjyqtari i katërt i ndeshjes.

Për futbollin shqiptar, këto nuk janë vetëm emërime individuale, por edhe një tregues i qartë i rritjes së nivelit të arbitrimit. Në një kohë kur klubet shqiptare kërkojnë sukses në Europë, edhe arbitrat po arrijnë të bëhen pjesë e skenës më prestigjioze të futbollit kontinental. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos