
Real Madrid e mbylli sezonin pa trofe, por tashmë ka nisur një epokë të re nën drejtimin e Jose Mourinhos. Portugezi është rikthyer në "Santiago Bernabeu" me objektivin për ta rikthyer sa më shpejt shkëlqimin e dikurshëm.
Përgatitjet kanë nisur, ndonëse grupi nuk ka qënë i plotë. Shumë prej yjeve të skuadrës vazhdojnë të mungojnë në stërvitje, pas pushimeve nga Kupa e Botës 2026. Futbollistë si Kylian Mbappe, Vinicius Junior, Jude Bellingham dhe disa lojtarë të tjerë nuk janë ende në dispozicion të trajnerit, ndërsa Antonio Rudiger dhe Endrick janë rikthyer.
Mourinho duket se është detyruar të ndërtojë seancat përgatitore me një grup të reduktuar dhe t'u japë më shumë hapësirë talenteve të akademisë. Në ditët e para pas nënshkrimit të kontratës, ai grumbulloi plot 16 lojtarë të ekipit të të rinjve, duke i testuar nga afër në kërkim të alternativave për sezonin e ri.
Edhe merkatoja madrilene po ecën me ritme të larta. Drejtuesit kanë plotësuar disa kërkesa të special one, duke përforcuar sidomos repartin e mbrojtjes me emra si Marc Cucurella, Denzel Dumfries, Ibrahima Konate dhe Bernardo Silva.
Në sulm Yan Diomande do të largohet nga Leipzig, duke iu bashkuar madrilenëve. Një futbollist që trajneri portugez e konsideron ideal për stilin e tij të lojës.
Vetëm pasi grupi të jetë i plotë, tekniku portugez do të mund të testojë idetë e tij në miqësoret e verës, ku Real Madrid do të përballet fillimisht me Fiorentinën dhe më pas me Ferencvarosin. Pritshmëritë janë të mëdha dhe çdo lëvizje e Mourinhos po ndiqet me vëmendje, ndërsa tifozët presin të shohin nëse "Special One" do ta rikthejë klubin mbretëror në majën e Europës. (A2 Televizion)