
Dinamo është vetëm 90 minuta larg një tjetër kapitulli historik në arenën europiane. Pas barazimit 1-1 në transfertën ndaj Aluminijt në Slloveni, skuadra e Ilir Dajës rikthehet në “Elbasan Arena” me besimin se mund të sigurojë kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League. Goli i Hekuran Berishës në pjesën e parë i dha epërsinë bluve, ndërsa sllovenët barazuan në fund, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit.
Optimizmi në kampin dinamovit nuk lidhet vetëm me rezultatin e ndeshjes së parë. Ekipi vjen pas një kualifikimi spektakolar ndaj Astanës, ku eliminoi skuadrën kazake 4-1 pas kohës shtesë dhe duke siguruar një sukses që u konsiderua ndër më të rëndësishmit në historinë moderne të klubit në kupat e Europës, shkruan A2 CNN.
Paraqitjet e Dinamos kanë tërhequr vëmendjen edhe jashtë Shqipërisë. Mediat sportive kanë vlerësuar organizimin e skuadrës, karakterin e treguar në transfertë dhe aftësinë për të mos u dorëzuar në momente të vështira.
Vetë Daja nuk është i panjohur për sukseset kontinentale, pasi sezonin e kaluar udhëhoqi Dinamon deri në eliminimin e Hajduk Splitit dhe riktheu klubin te trofetë në Shqipëri me fitimin e Kupës dhe Superkupës.
Tashmë, përballë Aluminijt, objektivi është i qartë. Një fitore në “Elbasan Arena” do t'i hapte Dinamos dyert e raundit të tretë kualifikues të Conference League dhe do të konfirmonte se skuadra blu po shndërrohet në një ekip që nuk duhet neglizhuar në arenën europiane. Dueli Dinamo-Aluminj luhet këtë të enjte në orën 21:00 në stadiumin Elbasan Arena. (A2 Televizion)