Irani ka refuzuar zyrtarisht propozimin e Omanit për menaxhimin e përbashkët të Ngushticës së Hormuzit, duke i dhënë një goditje përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund krizës që prej muajsh ka bllokuar tregtinë në Gjirin Persik.
Sipas Reuters, një zyrtar i lartë iranian tha se propozimi nuk ka asnjë shans për sukses. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite se po ushtrojnë presion ndaj Omanit për të çuar përpara plane që Teherani i konsideron jorealiste, shkruan A2 CNN. Sipas tij, Irani nuk do të pranojë një model kontrolli 50 me 50 me Omanin, duke këmbëngulur se e gjithë rruga hyrëse dhe një pjesë e korridorit dalës të Ngushticës së Hormuzit duhet të mbeten nën kontrollin iranian.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike njoftoi se ka ndaluar tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, pasi, sipas saj, ato kishin injoruar paralajmërimet dhe kishin përdorur një itinerar të paligjshëm dhe të pasigurt. Forcat iraniane deklaruan se vazhdojnë të ushtrojnë kontroll të plotë mbi këtë rrugë strategjike detare dhe paralajmëruan se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane nuk do të mbetet pa përgjigje.
Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite ndërmorën sulme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak të mërkurën, duke i akuzuar ato për sulme me dronë ndaj objekteve saudite të naftës.
Milicitë irakiane të Forcave të Mobilizimit Popullor deklaruan se disa prej bazave të tyre u goditën, duke raportuar të vrarë, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale. Sulmet erdhën vetëm pak orë pasi ushtria amerikane deklaroi se kishte zmbrapsur një sulm të befasishëm iranian ndaj trupave amerikane në rajon.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane pretendoi se kishte lëshuar disa raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Jordani. (A2 Televizion)