Trupa gati për pushim... “Shtatë Shkelje”, PD çon në Kushtetuese marrëveshjen me SHBA

Nga Indrit Maraku
29 Korrik 2026, 14:56 | Politikë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka identifikuar shtatë shkelje kushtetuese. Paralajmërimin, demokratët e bënë fakt duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e huas me Shtetet e Bashkuara për financimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar kontrollin kushtetues të procedurës së ndjekur nga Kuvendi. Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e tij”, tha Bardhi, përcjell A2 CNN.

Shkeljet e konstatuara nga demokratët nuk kanë të bëjnë me thelbin e marrëveshjes, për të cilën janë shprehur pro në parim, por me aspektet procedurale të miratimit të saj.

“Procedura e ndjekur për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk përmban vetëm një shkelje të izoluar. Ajo cenon njëkohësisht disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon parlamentarizmi kushtetues: të drejtën e deputetëve për t'u njohur dhe për të debatuar mbi aktet që votojnë, afatet kushtetuese të përdorimit të procedurës së përshpejtuar dhe sigurinë juridike që duhet të shoqërojë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare”, tha Bardhi.

Në fund, demokratët ia kaluan topin Gjykatës Kushtetuese, e cila po bëhet gati të nisë pushimet e verës.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton këtë çështje me përparësi, ne mund ta miratojmë së bashku marrëveshjen, pasi të njihemi me përmbajtjen e saj, edhe në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe duke siguruar mbështetjen e plotë politike që një marrëveshje e tillë strategjike meriton”, tha Bardhi.

Kërkesa, tashmë e depozituar, duhet të ndjekë procedurat paraprake të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin, hedhjen e shortit dhe vlerësimin paraprak të saj, ndërsa trupa nis pushimet pas javës së parë të gushtit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos