Harry Kane ngriti më në fund trofeun e parë në karrierën e tij, në ditën që legjenda e Bayern Munchen ngriti trofeun e fundit të Bundesliga-s me klubin gjerman.
Pasi siguroi matematikisht titullin një javë më parë, Bayern bëri një paraqitje të shkëlqyer dhe profesionale në “Allianz Arena” këtë të shtunë, duke mposhtur pa vështirësi Borussia Mönchengladbach me një fitore të pastër 2-0, me gola të Kane dhe Michael Olise.
Ylli i ditës ishte pa dyshim Olise, i cili krijoi vazhdimisht rrezik për mbrojtjen kundërshtare. Pas më shumë se 30 minutash lojë, dominimi i Bayern-it u shpërblye. Olise depërtoi në qendër dhe lëshoi një goditje që, pas një devijimi të lehtë nga Harry Kane, përfundoi në rrjetë.
Goli iu atribuua kapitenit të Anglisë, duke shënuar kështu golin e tij të 25-të në kampionatin gjerman për këtë sezon – hera e gjashtë në karrierën e tij që arrin një shifër të tillë në ligat vendase.
Fundi i ndeshjes solli një tjetër moment magjik. Në minutat shtesë, Olise përfitoi nga një pasim i saktë i Leroy Sané dhe shënoi golin e dytë për Bayern, duke kurorëzuar një paraqitje mbresëlënëse personale dhe kolektive.
Ky takim shërbeu gjithashtu si një moment simbolik për tifozët bavarezë, pasi Thomas Müller luajti ndeshjen e tij të fundit në shtëpi me fanellën e kuqe. Me rezultatin e siguruar, Kompany e zëvendësoi veteranin, i cili u largua përmes një ovacioni të fuqishëm në stadium. Të gjithë lojtarët formuan një korridor nderi për 35-vjeçarin, i cili mbetet një ikonë e vërtetë e klubit.
Në përfundim të ndeshjes, Müller u ngjit në tribunën ultra për të festuar me tifozët si në ditën e parë në klub, ndërsa në fushë shpërtheu festa tradicionale e birrës.
Ky ishte titulli i 34-t kampion për Bayern, i 33-ti që prej krijimit të Bundesliga-s dhe i 12-ti në 13 vitet e fundit. Kampionët gjermanë do të kenë legjendën Müller edhe për Botërorin e Klubeve, që do të zhvillohet në SHBA në muajin qershor. (A2 Televizion)