
Futbolli afrikan shpresonte për një mbyllje spektakolare të Kupës së Afrikës, pas një turneu me mjaft rivalitet dhe ndeshje të bukura, por finalja mes Senegalit dhe Marokut u shndërrua në një episod të turpshëm që la pas polemika të forta.
Senegali fitoi 1-0 pas kohës shtesë, por ndeshja u karakterizua nga skena kaotike, pasi lojtarët e Senegalit braktisën lojën kur arbitri dha një penallti për Marokun në minutat shtesë të kohës së rregullt. Trajneri Pape Bouna Thiaë urdhëroi lojtarët të dilnin nga fusha, duke shkaktuar një ndërprerje prej rreth 14 minutash. Vetëm pas ndërhyrjes së Sadio Mané, ata u rikthyen për të vazhduar lojën, përcjell A2 CNN.
Penalltia, e akorduar pas një kontrolli të gjatë nga VAR, u ekzekutua nga Brahim Diaz, por gjuajtja e tij në stil “Panenka”, e ideuar për të qenë një gol spektakolar, përfundoi në një përpjekje qesharake pasi topi u ndal në duart e portierit senegalez Edouard Mendy. Kjo e çoi ndeshjen në kohën shtesë, ku Pape Gueye shënoi golin vendimtar për Senegalin, duke i dhënë vendit trofeun e dytë në tre edicionet e fundit.
Trajneri i Marokut, Walid Regragui, e cilësoi incidentin si “të turpshëm për imazhin e Afrikës”, ndërsa veprimet e trajnerit senegalez mund të sjellin sanksione. Një finale që duhej të ishte festë, përfundoi si një njollë për futbollin afrikan. (A2 Televizion)