Hetimet për vjedhjen e votave në zgjedhjet e fundit në Kosovë çuan në shoqërimin e dhjetëra personave të mërkurën në Malishevë.
“Pas Prizrenit, Malisheva është bërë komuna e dytë në të cilën ka persona të arrestuar si të dyshuar për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë. Të njëjtit kanë qenë të angazhuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Malieshevë në role të ndryshme”.
“Nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë. 15 kryesues aktualisht janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të vendos në lidhje me masën e sigurisë. Po ashtu për 43 komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër në lidhje me ndonjë masë eventuale pasi në këtë rast kanë qenë të angazhaur dy prokurorë”, tha Enis Gashi, kryeprokuror i Gjakovës.
Përfitues më të mëdhenj nga manipulimi i votave në Malishevë kanë qenë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëm Gazmend Maliqaj, Fetah Paçarizi dhe Adnan Thaçit së bashku kishin mbi 2,300 vota më shumë sesa kishin marr realisht.
Manipulime me vota ka pasur edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës, ku kandidatit Gëzim Hazrollit i janë hequr 340 vota, atij të Nismës Vesel Krasniqit 264 vota, dhe Valon Hotit nga Lëvizja Vetëvendosje 312 vota.
“Në komunën e Malieshëvës gjithsej kanë qenë 75 vendvotime dhe nga këto vendvotime 9,057 vota janë të shtuara dhe 7,996 janë vota të hequra, pra gjithsej në total 17,053 vota”, tha Gashi.
Deri më tani, asnjë nga kandidatët për deputetë të cilëve i janë shtuar votat nuk janë intervsituar nga prokuroria, por pati zotime se askush nuk do të mund t’i shmanget drejtësisë.
“Unë vetëm një gjë e di, nuk do të amnistohet asnjë person pavarësisht funksionit që ka. Vetëm të kemi prova të majftueshme që mos t'ju hyjmë njerëzve në hak, t'i marrim pa nevojë dhe pastaj t'i lëshojmë. Roli i prokurorit është të sigurojë prova relevante, të mbështetura në ligj dhe të pranueshme për gjykatën”, tha Laura Pula, prokurore, koordinatore për zgjedhje.
Avokatët në rastin e Malishevës thanë se të angazhuarit në Qendrën Komunale të Numërimit në Malieshevë kanë pasur detyra të ndara.
“E ka pasur për detyrë që vetëm t’i lexojë fletëvotimet dhe të caktojë se kush për kënd ka votuar. Ndërsa thotë se evidentimin e atyre deklarimeve të mia është bërë përmes kryesueses se komisionit”, tha Ergjyment Barbullushi, avokat në rast.
“Realisht kjo ka qenë përgjegjësi e komisionerëve të Qendra të votimit megjithatë roli i klientit tim ka qenë në cilësi të anëtarit, ne padyshim që kemi një garancion të prezumimit të pafajësisë për të gjithë këta që po hetohen, mirëpo megjithatë është detyrë e prokurorisë t’i argumentojë këto pretenedime për të cilat është inicuar kjo detyrë”, tha Egzon Doli, avokat.
Për manipulimet me vota, tashmë aktualisht në paraburgim janë 23 persona ne Prizren ndërsa hetimet po vazhdojnë në të gjitha komunat ku ka përfunduar rinumërimi. (A2 Televizion)