Një pretendente për titull, përballë një ekipi që lufton për mbijetesë. Kjo është tabloja e “klasikes” së futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia. Dy skuadrat me traditë luajnë për objektiva të kundërt, me përballjen që do të zhvillohet të martën në Elbasan Arena prej orës 16:30.
“Luajmë ndaj një kundërshtari që ndoshta është në momentin më të mirë në kampionat, një klasike, shpresojmë dhe urojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë për të qenë në nivelin e këtij dueli, shpresoj shumë që kundërshtari të mos ketë fatin që ka pasur, në3 përballje që kemi bërë me ata mendoj që kemi bërë lojëra të mira, por është një ndeshje e rëndësishme për vazhdimësinë dhe në fund duhen 3 pikët”, shprehet trajneri Blendi Shkëmbi.
“Na pret një ndeshje e madhe, do të jemi të përgatitur 100% nga ana fizike dhe taktike. Do të jetë e vështirë pasi cilësohet derbi i Shqipërisë. Në ndeshjet e para kundër Tiranës jemi paraqitur mirë. Të mos e humbasim përqëndrimin si nga ana ofensive, ashtu edhe në atë difensive. Shkojmë për fitore, ky është objektivi. Është një kundërshtar i fortë, e dimë që është ekip i mirë dhe kanë një lojë interesante. Rëndësi ka të marrim sa më shumë pikë deri në fund, të kemi uri dhe dëshirë për të fituar”, deklaroi Brdariç.
Egnatia kryesuese luan në fushën e Laçit, që kërkon fitoren e parë pas katër ndeshjeve.
Në sfidën që mbyll javën e 29-të, Teuta do të ndeshet me Elbasanin, një duel që mund të vendosë shumë në garën për mbijetesë.
(A2 Televizion)