Java e 28 e Serie A shërbeu si një provë force për Atalantën, Napolin dhe Romën. Bergamaskët turpëruan Juventusin në Torino, me fitoren 0-4.
Retegui me 11-metërsh zhbllokoi ndeshjen në minutën e 39-të të sfidës. Në fraksionin e dytë të lojës, Atalanta u shfaq e papërmbajtshme, duke shënuar edhe tre herë të tjera me De Roon, Zappacosta e Lookman, shkruan A2.
Një dush i ftohtë për Juventusin, ku lojtari më i mirë në fushë ishte edhe portieri Di Gregorio, pavarësisht pësimit të katër golave. Bardhezinjtë u ndalën pas pesë fitoreve me radhë në kampionat dhe e shohin veten 9 pikë larg Interit.
Fitores së kryesuesve me Monzan iu përgjigj Napoli, që fitoi 2-1 përballë Fiorentinës. Lukaku dhe Raspadori rikthyen skuadrën e Contes te suksesi dhe distanca nga kryesuesit tashmë është vetëm 1 pikë.
Rrjeta e Gudmundsson në të 66-ën i krijoi disi shqetësim napoletanëve, që gjithsesi e menaxhuan lojën dhe rigjetën ecurinë pozitive.
Ajo që po shkëlqen në këto momente në Serie A është Roma. Rrjeta e Soulé prej sekondave të para të lojës i mjaftoi ekipit të Ranierit që të thyente Empolin, aty ku Ismajli mungoi për shkak dëmtimi. Skuadra e Ranierit vijon garën për një biletë europiane dhe mbetet ekipi me ecurinë më të mirë në 15 javët e fundit, përkrah Interit. (A2 Televizion)
Serie A, Atalanta turpëron Juventusin. fitojnë Napoli e Roma
