Kategoria Superiore do të nisë fazën e katërt dhe të fundit të sezonit, ku një gabim mund t’i kushtojë skuadrave në objektivin e tyre. Ndeshje të forta janë programuar në javën e 28, ku spikat ajo mes Vllaznisë dhe Partizanit, apo edhe Egnatia me Dinamon.
Katër ekipet që kanë konfirmuar kandidaturën e tyre për një vend në Final Four, dhe vetëm një surprizë mund t’i nxjerrë jashtë saj. Dy teste të mira për finalet në fund të sezonit me katër ekipet që do të bëjnë çmos për të marrë 3 pikë, shkruan A2 CNN.
“Është ndeshje e madhe kundër Partizanit, duhet të jemi sa më të përgatitur. Para tifozëve tanë, objektiv është vetëm fitorja. Ta dimë ku janë anët e forta të Partizanit dhe pikët e dobëta, që t’i përballojmë në mënyrë sa më profesionale. Ndeshen 4 ekipet e “Final Four”, do të jetë vendimtare për në vazhdimësi, por ne shohim veten tonë. Do të jetë një garë e fortë deri në fund të sezonit për vendin e dytë apo të parë. Punojmë çdo ditë dhe luajmë vetëm për fitore,” tha trajneri i Vllaznisë.
Tre takimet e tjera do të luhen të enjten. Teuta ka një ndeshje direkte me Bylisin në Ballsh, Tirana përballet me Laçin në stadiumin "Niko Dovana", ndërsa Elbasani pret Skënderbeun në shtëpi. (A2 Televizion)