Kategoria Superiore/ Vllaznia pret Partizanin, Tirana luan me Laçin në Korçë

Nga Dea Kozma
25 Tetor 2024, 14:56 | Futboll

Kategoria Superiore/ Vllaznia pret Partizanin, Tirana luan me Laçin

Kategoria Superiore ka nisur fazën e dytë të saj ku premtohen takime interesante dhe mjaft luftarake nga ekipet që synojnë një vend në “Final 4”, shkruan A2 CNN.

Të dielën në “Loro Boriçi” luhet supersfida mes Vllaznisë dhe Partizanit, dy ekipe rivale dhe që i ndanë 2 pikë në renditje do të bëjnë çmos për të marrë maksimumin e sfidës. “Loro Boriçi” nuk është stadiumi i preferuar për “Demat” pasi në 4 ndeshjet e fundit e luajtura aty regjistrojnë një humbje dhe tre barazime.

Në prag të ndeshjes, dy trajnerët vlerësuan maksimalisht cilësitë e dy skuadrave, ndërsa bënë të qartë se do të zbresin në fushë vetëm për fitore. 

“Ka shumë optimizëm në skuadër, luajmë në shtëpinë tonë dhe ne duhet të bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Këtë javë duken më mirë dhe e ndjej që energjinë e kemi aty, Stojanoviç dhe Gurishta janë mjaft mirë. Bekimi ka investuar shumë për veten e tij është një lojtar i madh, na mungoi javën e shkuar dhe do të jetë i gatshëm për Partizanin. Akoma vret se çfarë ndodhi në ndeshjen me Laçin. Kemi folur gjatë javës me djemtë, duhet të kemi një plan të mirë për Partizanin”, deklaroi trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric.

Aleksandar Veselinoviç, trajneri i Partizanit, u shpreh: “Duhet të kemi respekt për të gjithë rivalët tanë. Statistikat mbeten gjithmonë statistika, nuk është problemi fusha apo qyteti në të cilin luajmë. Nëse ne japim maksimumin është njësoj si të luajmë në Tiranë ose jashtë. Kemi marrë informacion që Balaj po trajtohet në Serbi, por nuk bën problem nëse ai luan apo jo. Vllaznia është një skuadër e kompletuar, ka në stol lojtarë shumë të mirë”.

Takimi në Shkodër do të luhet të shtunën në orën 19:30. Në anën tjetër, Tirana udhëton në Korçë për t’u përballur me Laçin. Bardheblutë që në këtë ndeshje janë pritës, pavarësisht se luajnë 163 km nga kryeqyteti, kanë detyrim vetëm 3 pikë ndaj ekipit kurbinas.

“Nuk ka lidhje qyteti im, patjetër që do të donim të luanim në fushën tonë se përshtatemi më së miri. Nuk është gjë e mirë kjo që po ndodh, por ne duhet të bëjmë maksimumin. Patjetër që ne na duhen pikë, kushdo kundërshtar të ishte ky kampionat nuk ka as ekipe shumë të mira dhe as të dobëta. Jemi pothuajse njësoj me aq sa po shoh, duhet të bëjmë maksimumin. Mesa pashë ndeshjen e fundit, Laçi m’u duk ndryshe, disa lojtarëve u është dhënë besim dhe forcë”.

Takimi Tirana-Laçi do të luhet të shtunën, në orën 17:00, në stadiumin “Skënderbeu”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos