Konfirmohen vendet mikpritëse të Kupës së Botës 2030 dhe 2034

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2024, 17:13 | Futboll

Konfirmohen vendet mikpritëse të Kupës së Botës 2030

Që vendet mikpritëse të Kupës së Botës 2030 dhe 2034 ishin vendosur tashmë, kjo dihej dhe nuk përbën asnjë çudi.

Por tani është zyrtare! Spanja, Maroku, Portugalia dhe një pjesë e Amerikës së Jugut (Argjentina, Uruguai dhe Paraguai) do të presin Kupën e Botës së ardhshme. Pastaj do të jetë radha e Arabisë Saudite, katër vjet më vonë.

Vendimi i dyfishtë është marrë përmes votimit të një kongresi virtual të federatës ndërkombëtare të futbollit.

Turneu i vitit 2030 do të shënojë një shekull që kur Kupa e parë e Botës u mbajt në Uruguai dhe si rezultat, për herë të parë kombi i Amerikës së Jugut do ta fitojë këtë të drejtë së bashku me Argjentinën dhe Paraguain.

Kjo e bën atë një kandidaturë krejtësisht të paprecedentë, që përfshin tre konfederata të ndryshme kontinentale. FIFA konfirmoi më shumë se një vit më parë se propozimi i përbashkët i udhëhequr nga Maroku, Spanja dhe Portugalia ishte kandidatura e vetme për vitin 2030.

Një ofertë e përbashkët britanike dhe irlandeze u tërhoq kur të dy vendet vendosën të fokusoheshin te organizimi i Euro 2028, ndërsa pati sugjerime për një ofertë të pasuksesshme nga Koreja e Jugut, Kina, Japonia dhe Koreja e Veriut.

Për sa i përket vitit 2034, FIFA përdori parimin e saj të rotacionit të turneut kryesor midis kontinenteve të caktuara, duke pranuar vetëm oferta nga Azia ose Oqeania. Organi u dha ofertuesve të mundshëm vetëm një muaj vitin e kaluar për të dorëzuar aplikimet dhe Australia me Indonezinë e braktisën shpejt idenë për të paraqitur një ofertë.

Kjo e la Arabinë Saudite si kandidaten e vetme në garë, duke i hapur rrugën rikthimit të Kupës së Botës në rajonin e Gjirit pasi në vitin 2022 u zhvillua në Katar. Temperaturat e verës në hemisferën veriore mund ta shtyjnë zhvillimin e turneut në fund të vitit, siç ndodhi në 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos