Kosova ndal Zvicrën në Prishtinë me një super gol

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 22:58 | Futboll

Kosova ndal Zvicrën në Prishtinë me një super gol

Kosovë-Zvicër, ndeshja e fundit në grup për eliminatoret e Botërorit, është mbyllur në barazim 1-1. Pjesa e parë foli më shumë për qarkullim topi të zviceranëve, ndërsa rasti më i mirë ishte një tentativë e Michel Aebischer, që nuk arriti të mposhtte Arijanet Muriçin.

Kosova, që vinte pas katër ndeshjeve radhazi pa pësuar gol, tentoi të ishte sa më solide në mbrojtje.  Mundësia më e mirë para pushimit erdhi nga Veldin Hodza, por goditja e tij shkoi drejt në duart e portierit Kobel.

Pjesa e dytë nisi vrullshëm. Vetëm dy minuta pas rifillimit, Rubén Vargas gjeti hapësirë në zonë dhe shënoi duke kaluar Zvicrën në avantazh. Kosova reagoi dhe pas disa tentativave, arriti barazimin me një supergol të Florent Muslijës rreth 15 minuta para fundit.

Dardanët vazhduan të kërkonin fitoren e parë historike ndaj Zvicrës dhe madje iu afruan me Baton Zabërgën, por Kobel reagoi sërish. Në fund, Kosova mori një pikë të çmuar dhe regjistroi herën e parë që nuk humbet ndaj një skuadre në top-20 të renditjes FIFA në kualifikueset e Botërorit.

Kosova i mbyll këto kualifikuese si e dyta e grupit dhë tashmë do të luajë në play off në muajin mars për një biletë në Botërorin 2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos