“PD kërkon 95 bashki, PS synon reduktimin në 35!” Krasniqi zbulon prapaskenat e diskutimeve për Reformën Territoriale

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 22:19 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi ka zbuluar detaje të reja mbi diskutimet për Reformën Territoriale, gjatë një interviste në emisionin Off The Record të Andrea Dangllit. Sipas tij, dy partitë e mëdha kanë propozime skajshmërisht të ndryshme për hartën e re administrative, duke kërkuar respektivisht rritje dhe ulje drastike të numrit të bashkive.

“Partia Demokratike ka propozuar një ndarje me 95 bashki, ndërsa Partia Socialiste ka kërkuar uljen e tyre në vetëm 35,” tha Krasniqi, duke e cilësuar mungesën e debateve të brendshme në partitë politike si problem thelbësor për çdo reformë të qëndrueshme.

Krasniqi theksoi se partitë duhet të konsultohen realisht për qëllimet e tyre, përpara se të ndryshojnë sistemin zgjedhor apo administrativ. Ai u ndal edhe te kriza e përfaqësimit dhe mungesa e figurave me profil profesional brenda partive, sidomos në opozitë.

“Sot askush nuk mund të thotë kush mbulon ekonominë, financat, politikat sociale apo shëndetësinë në PD,” u shpreh politologu.

Ai kritiko edhe performancën e deputetëve në parlament, duke theksuar se shumë prej tyre ankohen se nuk u jepet fjala, ndonëse vetë nuk kanë folur asnjëherë në seancat plenare. “Kjo është tallje me jetën publike, tallje me mandatin,” tha Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos