
Autoritetet belge kanë arrestuar tetë persona të botës së krimit, në kuadër të një hetimi për një komplot të mundshëm që synonte eliminimin fizik të kryeprokurorit të Brukselit. Arrestimet u kryen të martën, pas kontrolleve në 18 ambiente të ndryshme, kryesisht në rajonin e Brukselit, njoftoi prokuroria federale belge.
Sipas deklaratës zyrtare, në korrik të vitit 2025 policia e Brukselit informoi prokurorinë se kishte marrë sinjale për një plan të strukturuar për vrasjen e kryeprokurorit. Hetimet paraprake kanë zbuluar se personat kryesorë të dyshuar kanë precedentë penalë të lidhur me trafikun e organizuar të drogës dhe mund të kenë lidhje me mafien shqiptare të narkotikëve, të paktën sipas raportimit të Reuters.
Vitet e fundit, Brukseli është kthyer në një nga pikat më problematike të Evropës për sa i përket trafikut të drogës. Zyrtarët belgë raportojnë se në territorin e vendit operojnë mbi 100 nga rrjetet kriminale më të rrezikshme në kontinent, shkruan A2 CNN.
Në shkurt të këtij viti, autoritetet u detyruan të mbyllnin disa stacione metroje në Bruksel, ndërsa kërkonin dy persona të armatosur pas një përplasjeje të dyshuar mes bandave të drogës. (A2 Televizion)
