Atentati me dy të vdekur në Rinas rikthen replikat mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Teksa kreu i qeverisë pohoi se vrasja do të zbardhej nëse do të ishin instaluar kamerat inteligjente, për Berishën nuk ishte mungesa e kamerave pengesë për zbardhjen e ekzekutimit mafioz.
“Nëse do kishim atë sistem në këmbë, ajo ngjarja e Rinasit që ndodhi, do të ishte zbardhur në kohë reale. Por nuk është problemi te zbardhja, problemi është që në momentin që ai sistem funksionon, parandalon, siç e ka treguar, rasti në Emirate apo vende te tjera që kanë sisteme të tilla, paralajmëron në mënyrë jashtëzakonisht efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, me qetësinë me sigurinë. Brenda këtij mandati do ta kemi këtë sistem”, tha Rama.
“Ky deklaroi se na mungonin kamerat. Po cilat kamerat mungonin? Po shqiptarët prej atyre kamerave panë gjithçka me detaje, përveçse ti që nuk i sheh, se ti do mashtrosh”, tha Berisha.
Gjatë turit të prezantimit të buxhetit me banorët e Tiranës, Rama e quajti Berishën të keqen më të madhe të vendit. Nuk ka munguar reagimi i Berishës sipas të cilit Rama ka instaluar narko diktaturë.
Berisha këto komente i bëri gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ku pohoi se protesta e së hënës do të jetë e para e një serie tubimesh. Ndërkohë Berisha komentoi sërish ligjin për barazinë gjinore, duke premtuar betejë në kushtetuese dhe referendum. (A2 Televizion)
