Gennaro Gattuso, ish-futbollisti legjendar i Milanit, i cili aktualisht është trajner i Hajdukut të Splitit në Kroaci, ka përjashtuar nga ekipi Ivan Perisic, ish-lojtarin e Interit.
Arsyeja është se Ivan Perisic kërkon të largohet nga Hajduku për t’u transferuar te Barcelona, aty ku dëshiron të bashkohet sërish me Hansi Flick, trajner me të cilin ka punuar te Bayern Munchen dhe ka fituar gjithçka.
Mediat kroate raportojnë se klauzola e tij është 200 mijë euro dhe çdo klub mund ta paguajë fare lehtë.
“20 ditë më parë, ai (Perisic) erdhi në zyrën time dhe më tha që donte të largohej. Nëse dikush do të largohet, duhet që të respektojë pjesën tjetër të skuadrës sepse në dhomat e zhveshjes ka disa rregulla që duhen zbatuar. Unë madje ia kam dhënë mundësinë për të luajtur 20 minuta, 35 minuta apo edhe 65 minuta. Por, duhet që të rris edhe lojtarët e tjerë dhe të gjejnë formën. Nuk mund të aktivizoj Perisicin që të largohet në formë. Kjo nuk është një histori e përfunduar sepse lojtari vazhdon të jetë ende këtu”, ka thënë Gatuzo.
(A2 Televizion)