Presidenti i Elbasanit, Kujtim Llupa, ka folur me doza tepër optimiste për sa i përket ecurisë të skuadrës së tij. Në një lidhje live për emisionin “Mega Sport” nga Altin Sulçe, në A2 CNN, ai ka folur pa “doreza” në lidhe me situatën që klubi i tij po kalon, teksa ndër të tjera u ndal edhe te incidentet e ndodhura në duelin ndaj Flamurtarit. Ndër të tjera Llupa u shpreh:
“Si president jam i ri, por kam shumë vite që merrem me sport. Është kënaqësi të jesh në vendet e para, me pikë të barabarta me një ekip si Vllaznia, që është djepi i futbollit shqiptar. Janë edhe 8 javë nga përfundimi i kampionatit, kështu që kemi kohë akoma.
Për lojtarët cilësor, e gjithë merita i takon drejtorit, i cili punon pa tension nga ana ime dhe stafi, është ok me trajnerin dhe stafin e klubit.
Unë jam një tip që nuk bëj prova më trajnerët që t’i heq, kam shumë besim te trajnerët sidomos te Gvozdenoviç, që shkon shumë mirë me drejtorin dhe stafin. Deri tani jemi brenda objektivave që kemi përcaktuar.
Me drejtorin komunikoj minimalisht 5 herë në ditë. Siç çdo biznes, edhe sporti nuk t’i jep të ardhurat për 2 vjet. Do doja shumë që vjet të ishim në Europë, nuk ia arritëm për një ndeshje.
Jemi e vetmja tifozeri në Shqipëri edhe brenda dhe jashtë, iu kam kërkuar që sjellja të jetë brenda kornizave sportive.
Për sa i përket ditës së djeshme, pritja nga presidenca e Flamurtarit ishte shumë miqësore, u agravuar në fund të ndeshjes, midis futbollistëve. Lojtarët e Flamurtarit dhe disa të tjerë, goditën lojtarët e mi, të cilët u gjetën të papërgatitur.
Mbas ndeshjes dhe mbas incidenteve, presidenti i Flamurtarit, Idrizi, më ka thënë që dua të vij te tifozët e tu t’i uroj për fitoren. Kemi shkuar bashkërisht te tifozët tanë dhe i ka uruar. Ndodhën shumë incidente, nuk dua ta ezauroj shumë këtë pjesë. Në Vlorë ndihem shumë i afërt, sepse të gjithë miqtë te Flamurtari më kanë pritur shumë mirë, para dhe pas ndeshjes. Më kanë përkrahur dhe më kanë uruar fitoren.
Gjendja e portierit është stabël, nesër do të udhëtojë në Çeki për t’u riaftësuar. Bruno bëhet gati për 45 ditë. Shpresoj që portieri mos e mbyll sezonin, për 2 javë do jetë në ekip.
Mungon edhe Dialo, Kristi Qose, Tsage, kemi pasur gjithë këto mungesa dhe sërish ekipi ka performuar shumë mirë. Jam i kënaqur nga të gjithë.
Që në janar kemi piketuar disa lojtarë, që presim t’i afrojmë. Punojmë të gjithë bashkë.
Nuk e bëra denoncimin për incidentet në Vlorë, sepse kam marrëdhënie shumë të afërt, me shumë ish-legjendat e Flamurtarit, me presidentin Idrizi, me drejtuesin politik të qarkut, Blendi Çuçi, me zv.presidentin e FSHF-së, Geri Çipi, ishin të gjithë të pranishëm në stadium, incident sporadik i momentit. Mora vesh që Idrizi i kishte ofruar 100 mijë euro premio ekipit për të mundur Vllazninë dhe Elbasanin. Nuk e arritën objektivin, kështu që ata kaluan në ekstrem.
Unë premiot nuk i bëj asnjëherë publike, por do të marrin premion që meritojnë.
Do të preferoja në finalen e “Final 4”, Vllazninë. Jemi në hapat e duhur për t’u rritur edhe nga ana e PR. Do jenë 10 mijë elbasan në stadium në ndeshjen që do të vendosë titullin”, u shpreh Llupa. (A2 Televizion)