Luhet për dy biletat e fundit në Champions, Milani ëndërron

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 11:26 | Futboll

Luhet për dy biletat e fundit në Champions, Milani ëndërron

Mbrëmjen e kësaj të mërkure luhen 90 minutat finale të fazës së grupeve në Champions League. Momentalisht, janë 14 skuadra të kualifikuara, me kuadrin e 1/8 që do të plotësohet edhe me dy ekipe që do të kualifikohen.

Një prej biletave do të jetë në Grupin F, aty ku Milani, Paris Saint Germain dhe Newcastle janë të gjitha në garë. Shpresat e “Djallit” janë të varura në një fije peri.

Me 5 pikë, ekipi i Piolit mund të kualifikohet nëse fiton në fushën e Newcastle dhe të shpresojë që Borussia e Dortmundit, e cila e ka siguruar kalimin më tej, të mposhtë Paris Saint Germain.

Në anën tjetër, kampionët e Francës luajnë edhe për ta fituar grupin dhe këtë mund ta realizojnë vetëm nëse fitojnë përballë verdhezinjve në Gjermani. Në anën tjetër, Newcastle kualifikohet duke fituar me Milanin dhe që PSG të mos fitojë në Dortmund.

Për t’u përcaktuar edhe bileta në Grupin H, ku Barcelona është e kualifikuar dhe me gjasë do ta mbyllë në vendin e parë. Vendi i dytë do të përcaktohet nga sfida direkte ndërmjet Porto dhe Shakhtar. Përveç avantazhit të fushës në stadiumin “Do Dragao”, portugezët kanë luksin të luajnë për fitore, por edhe për barazim.

Në Grupin E, Atletico Madrid dhe Lazio janë të kualifikuara, por luajnë duelin direkt për vendin e parë, ndërsa në Grupin G gjithçka është mbyllur, me Manchester City në vendin e parë, Leipzig të kualifikuar dhe Young Boys në Europa League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos