
Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të ri në krye të FIFA-s.
FSHF ka konfirmuar se presidenti Armand Duka ka firmosur një letër zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, përmes së cilës njofton revokimin e mbështetjes së dhënë më herët për Infantinon.
Në dokumentin e dërguar në FIFA, FSHF bën me dije se vendimi është marrë pas konsultimeve të brendshme dhe një shqyrtimi të situatës lidhur me zhvillimet e fundit në futbollin ndërkombëtar.
“Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e saj për kandidaturën e z. Gianni Infantino”, thuhet në letrën e firmosur nga Armand Duka.
Federata shqiptare e lidh këtë vendim me zhvillimet e fundit në futbollin ndërkombëtar dhe me qëndrimet e shprehura nga federata europiane lidhur me proceset e qeverisjes së FIFA-s.
Ky vendim vjen në një kohë kur presidenti i FIFA-s është përballur me kritika nga disa federata, pas diskutimeve rreth projekteve të reja për menaxhimin dhe komercializimin e kompeticioneve ndërkombëtare.
FSHF thekson se mbetet e angazhuar për bashkëpunimin me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë, duke mbështetur një qeverisje të futbollit të bazuar te transparenca, integriteti dhe interesat e sportit.
Më 20 maj 2026, Federata Shqiptare e Futbollit kishte dorëzuar letrën e mbështetjes për kandidaturën e Infantinos, por tashmë ka njoftuar zyrtarisht FIFA-n për tërheqjen e saj nga ky qëndrim. (A2 Televizion)