Klubi i futbollit Tirana mbetet i Refik Halilit. Ky është vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë që çliron klubin bardheblu nga sekuestro dhe 66 për qind të aksioneve i rikthehen presidentit të klubit, Refik Halili ndërsa 34 për qind mbeten në zotërim nga Bashkia e Tiranës.
Një vendim që i jep të drejtë klubit kryeqytetas të ketë aksionet e lira dhe llogaritë bankare të çliruara, duke mos pasur asnjë pengesë për regjistrimin në aktivitete ndërkombëtare, gjithmonë nëse i arrijnë në fund të sezonit.
Nëse do të rikthejmë historikun, një zyrë përmbarimore në prill të vitit 2024 kishte bllokuar aksionet e 'Halili shpk' në klub për shkak se këta të fundit kishin shumë detyrime ndaj palëve të treta. Një vendim që bëri kompaninë në fjalë të nxirrte në shitje 66% e aksioneve, me vlerë fillestare prej rreth 161 milionë lekë por nga ankandi nuk doli asnjë fitues pasi nuk pati asnjë ofertë.
E gjithë kjo u krijua për shkak të detyrimeve apo borxheve që pronari dhe njëkohësisht presidenti i klubit Refik Halili kishte ndaj palëve të treta mes tyre dhe shumë futbollistë të cilët kishin fituar gjyqin dhe prisnin dëmshpërblimin.
Megjithatë tani çdo gjë duket se mbaruar. Makthi 1 vjeçar për shitjen e kubit bardheblu ka përfunduar dhe Tirana i rikthehet familjes Halili. (A2 Televizion)